ture virtuale

MË I MIRË ISH VARRI SESA MOS ME DITË

Ekspozita në kujtim të 1620 personave të zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe menjëherë pas tij, duke përfshirë vitet 1998 – 2000, vjen në një kohë denoncimesh e zbulimesh të reja të varrezave masive të shumë dyshuara në territorin e Serbisë.

Të dhënat e 1620 personave në këtë ekspozitë nuk janë të dhënat e personave të zhdukur apo të pagjetur. Ato janë të dhënat e personave të zhdukur me forcë, të rrëmbyer, të ekzekutuar dhe të fshehur në varreza masive, të cilat, përgjatë më shumë se 20 viteve që na ndajnë nga krimet e kryera mbi popullsinë e Kosovës, janë tjetërsuar duke e bërë kërkimin dhe, si rrjedhojë, zbulimin e tyre sa vjen e më të ndërlikuar.


Mbi ato gjurmë dhe prova ka mbirë bari.

Na ishte një herë qe kurrë mos qoftë

1024 fëmijë të vrarë

109 fëmijë të zhdukur

Na ishte njëherë është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë që nuk duhet t'i përkasë reales, ashtu si përralla. 


Për krijimin e këtij memoriali është folur me prindërit e familjarët e viktimave dhe kjo ekspozitë shpreh dëshirën e tyre për t'i kujtuar ata me gjësendet e vetme të mbetura të një fëmijërie të ndërprerë


Një Ditë. Jedan Dan. One Day

Asnjë ditë nuk është e zakonshme në luftë dhe secila ditë e paqes nuk do të jetë kurrë e plotë për aq kohë sa një luftë e re do të jetë duke ndodhur diku tjetër. Lufta ka aftësinë të shterojë dhe njëkohësisht të asgjësojë kuptimet; të gjuhës, të dinjitetit, të njeriut dhe të kohës. Duke ndjekur këtë koncept të mpakjes që është esenca e vetë luftës, ekspozita që i kushtohet të mbijetuarve të saj, vendos që simbolikisht ta zvogëlojë tërë kohëzgjatjen e luftës duke e rindërtuar dhe paraqitur një ditë të vetme të saj. Kjo ditë, autopsia e së cilës ndahet në mijëra çaste të brishta, përmban të gjitha llojet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ku secila histori e rrëfyer vjen e tkurret derisa gjen formën e një fragmenti, ngjashëm me imazhet e rizgjuara të kujtesës traumatike.