Lajme

Thirrje Publike: Ekspert/e për Strategji të Komunikimit

04.09.2026, 10:51

Thirrje Publike
Ekspert/e për Strategji të Komunikimit
Hartimi i Strategjisë së Komunikimit për FDH Kosovë


Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) është organizatë jo-qeveritare që kontribuon në forcimin e kapaciteteve të Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit dhe zbatimin e mekanizmave të drejtësisë tranzicionale, me synim zhvillimin e një shoqërie të drejtë që ballafaqohet me të kaluarën dhe respekton të drejtat e çdo qytetari. Përmes dokumentimit të fakteve, monitorimit të gjykimeve për krime lufte, mbështetjes së viktimave dhe familjeve të tyre, memorializimit gjithëpërfshirës dhe edukimit mbi drejtësinë tranzicionale, FDH Kosovë synon të mbeshtesë ndërtimin e një shoqërie demokratike që ballafaqohet me të kaluarën dhe angazhohet për një të ardhme të përbashkët, demokratike dhe të bazuar në të drejta.

FDH Kosovë do të zhvillojë një Strategji të Komunikimit, e cila do të shërbej si udhëzues i qartë sesi projektet do të komunikojnë me audiencën, me viktimat dhe të mbijetuarit nga të gjitha komunitetet, të rinjtë, profesionistët ligjorë, përfaqësuesit institucionalë, punonjësit e arsimit, mediat dhe publikun e gjerë.

Strategjia duhet të përcaktojë zërin e projekteve, audiencat prioritare, mesazhet, platformat dhe metodat e angazhimit, duke siguruar që puna për memorializimin dhe drejtësinë tranzicionale të arrijë përtej qarqeve tradicionale.

Ky angazhim është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin e polarizuar pas konfliktit në Kosovë, ku dezinformimi, narrativat përjashtuese dhe kujtesa selektive ndikojnë në hapësirën publike. Për këtë arsye, komunikimi duhet të jetë i ndjeshëm ndaj konfliktit dhe traumës, i përqendruar te viktimat dhe të mbijetuarit, gjithëpërfshirës dhe i kujdesshëm ndaj rrezikut të stigmatizimit ose ritraumatizimit.

            Qëllimi i angazhimit

Qëllimi është angazhimi i një eksperti/eje me përvojë për hartimin e një Plani Strategjik të Komunikimit që është i kohës, lehtë i zbatueshëm dhe i matshëm. Pas vitit të parë të zbatimit, eksperti/ja do të rishikojë procesin e planit strategjik dhe do të paraqesë rekomandime për përmirësimin dhe zhvillim të mëtutjeshëm.

Detyrat

             Faza I – Hartimi i Strategjisë së Komunikimit

  • Të shqyrtojë dokumentacionin relevant dhe të vlerësojë nevojat e organizatës, si dhe kapacitetet dhe praktikat ekzistuese të komunikimit të projekteve.
  • Të hartëzojë dhe segmentojë audiencat dhe palët kryesore të interesit, duke identifikuar nevojat e tyre informative dhe kanalet më të përshtatshme të komunikimit.
  • Të zhvillojë kornizën e mesazheve, tonin dhe qasjen e komunikimit për audienca të ndryshme, në përputhje me parimet e të drejtave të njeriut, ndjeshmërisë ndaj konfliktit dhe qasjes së përqendruar te viktimat.
  • Të përcaktojë kanalet, platformat dhe formatet e komunikimit, përfshirë angazhimin me mediat, rrjetet sociale, si dhe me grupet dhe komunitetet me qasje të kufizuar në informacion dhe në proceset publike.
  • Të hartojë Strategjinë e Komunikimit dhe planin e zbatimit, me aktivitete, afate, përgjegjësi, tregues të performancës dhe masa për menaxhimin e rreziqeve të komunikimit.
  • Të prezantojë draft-strategjinë, të përfshijë komentet e FDH Kosovë dhe të dorëzojë verzionin përfundimtar.

           Faza II – Rishikimi pas vitit të parë

  • Të shqyrtojë zbatimin e Strategjisë dhe rezultatet e komunikimit gjatë vitit të parë.
  • Të vlerësojë efektivitetin e mesazheve, kanaleve dhe treguesve të përcaktuar, si dhe të identifikojë arritjet dhe boshllëqet kryesore.
  • Të dorëzojë raportin e rishikimit me rekomandime konkrete për përditësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Strategjisë.

Kualifikimet dhe përvoja e kërkuar

  • Diplomë universitare në komunikim, marrëdhënie me publikun, gazetari, shkenca politike, të drejta të njeriut, studime të paqes ose fushë të përafërt; diploma e avancuar konsiderohet përparësi.
  • Së paku pesë (5) vjet përvojë profesionale në komunikim strategjik, zhvillim strategjish komunikimi, avokim ose angazhim publik.
  • Përvojë e dëshmuar në së paku dy angazhime të ngjashme për organizata të shoqërisë civile, institucione publike ose organizata ndërkombëtare.
  • Njohuritë në fushën e drejtësisë tranzicionale, ballafaqimit me të kaluarën, memorializimit dhe ndërtimit të paqes, si dhe përvoja në punë me viktimat dhe të mbijetuarit, do të jenë vlerë e shtuar.
  • Njohuri të kontekstit shoqëror, politik dhe mediatik të Kosovës dhe rajonit.
  • Aftësi të shkëlqyera analitike, konsultuese dhe të shkrimit.
  • Njohje e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe/ose angleze; njohja e gjuhës serbe konsiderohet përparësi.

Dokumentet për aplikim

  • Letër motivimi, deri në dy faqe, që shpjegon përshtatshmërinë dhe qasjen e propozuar;
  • CV e përditësuar dhe portfolio e punës;
  • Propozim i shkurtër teknik/metodologjik, deri në pesë faqe, duke përfshirë planin indikativ të punës dhe ofertën financiare;
  • Kontaktet e së paku dy referencave profesionale;

Aplikimet e pakompletuara ose të pranuara pas afatit nuk do të merren parasysh.

Dokumentet duhet të dërgohen në format PDF në emailin office@hlc-kosovo.org me titullin: “Aplikim për Ekspert/e për Strategji të Komunikimit – (emri dhe mbiemri)”.

Afati i fundit për aplikim është 21 shtator 2026. Pyetjet për sqarim mund të dërgohen në office@hlc-kosovo.org deri më 14 shtator 2026.