Pas një procesi të gjatë pune pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, më 30.08.2025, u inaugurua memoriali “Pema e Jetëve”.
Një vepër publike si një propozim për një angazhim të vazhdueshëm, ku kujtesa nuk mund të mbyllet në të kaluarën, por duhet të jetohet dhe të banohet.
Koncepti lidhet me simbolikën e pemës së familjes, e cila bashkon gjeneratë pas gjenerate, të kaluarën dhe të tashmen. Në veçanti, për artisten Dea Gjinovci kjo punë merr kuptim në një dimension personal, pasi emri i gjyshes së saj është një nga emrat e shënuar në memorial, duke mbetur pjesë e listës së personave të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë 1998–2000. Ajo theksoi se historia e saj është një pasqyrim i përvojave të shumë familjarëve që ende kërkojnë përgjigje.

Gjatë procesit për realizimin e projektit u ftuan, përmes një thirrjeje të hapur të gjithë familjarët e personave të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë që të ishin pjesë e ndërtimit të veprës. Të shumtë ishin familjarët që u prezantuan në punëtori dhe shkruajtën emrat e më të dashurve me duart e tyre.

Ky memorial u inaugurua për publikun më 30.08.2025, duke na dhënë të gjithëve mundësinë të bashkëndajmë heshtjen, praninë e njëri tjetrit por edhe praninë e mungesës. Memoriali tashmë ndodhet në platonë mbi parkingun nëntokësor (pranë Sheshit Xhorxh Bush), Prishtinë, Kosovë.


Gjatë inaugurimit, , Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, Bekim Blakaj, përmendi përkushtimin shumëvjeçar të organizatës për të dokumentuar fatin e të zhdukurve dhe për të mbajtur gjallë kujtesën për ta.
“Ky memorial nuk është thjesht një vepër arti,” tha ai, “por një hapësirë e përhershme që shoqëria jonë të mos harrojë.”
Blakaj falënderoi familjarët për besimin dhe ndarjen e dhimbjes së tyre, si dhe të gjithë partnerët që ndihmuan në realizimin e projektit. Ai e përshkroi “Pemën e Jetëve” si një vend reflektimi, por edhe një vend ku kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi.
Ky memorial u përshëndet gjerësisht si një kontribut i çmuar për kulturën e kujtesës në Kosovë. Nuk është vetëm një homazh për të zhdukurit, por edhe një thirrje publike që e kaluara të mos mbulohet me harresë dhe që padrejtësitë të mos përsëriten më kurrë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh se kjo vepër arti nuk e shëron dhimbjen, por i jep asaj zë. Ai e cilësoi “Pemën e Jetëve” si një pikëtakim të kujtesës kolektive, që na thërret të mos lejojmë që kujtimi të mbetet vetëm në zemrat e familjarëve, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes sonë të përbashkët.
“Emrat e gdhendur këtu janë më shumë se shkronja mbi dru; ata janë kujtesë publike ku secila jetë ka emër dhe identitet,” tha Rama, duke theksuar se mungesa e tyre është një plagë që nuk shuhet, por që përmes këtij memoriali kthehet në një thirrje për të mos harruar dhe për të kërkuar drejtësi.
Memoriali “Pema e Jetëve” është një hapësirë publike, e hapur për të gjithë. Ju ftojmë ta vizitoni dhe të ndaloni për një moment reflektimi pranë emrave të gdhendur.
Ky memorial është realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë në partneritet me Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur dhe u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Departamenti Federal i Zvicrës për Punë të Jashtme.