Lajme

Jeni të ftuar të merrni pjesë në inaugurimin e memorialit “Pema e Jetëve”

27.08.2025, 17:18

Duke filluar prej orës 18:00, më 30 gusht, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ju ftojmë të na bashkoheni në Platonë mbi parkingun nëntokësor (pranë Sheshit Xhorxh Bush), Prishtinë, ku do të inaugurohet memoriali “Pema e Jetëve”, një hapësirë përkujtimi kushtuar të gjithë personave ende të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë.


Pema e Jetëve është një memorial në formën e trungut të një peme me rrënjë. Në dukje e thjeshtë, një trung peme, i prerë por ende në këmbë, me rrënjët e ekspozuara e të ankoruara në tokë. Njëkohësisht fragment dhe tërësi, vepra mishëron një përkohshmëri të pasigurt; gjendjen e pezullt të personave të zhdukur me forcë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000. Artistët Dea Gjinovci dhe Armand de Benoist de Gentissart e kanë konceptuar trungun jo si simbol të mbylljes, por të ndërprerjes, një plagë në vazhdimësinë e jetës dhe të prejardhjes. Memoriali është i punuar në materialet e betonit dhe drurit, rezistentë ndaj motit, e të siguruara në mënyrë lokale. Rrënjët, të derdhura në beton e bëjnë të dukshme atë që zakonisht është e fshehur: linjat gjenealogjike që mbajnë të gjallët, edhe teksa bartin peshën e mungesës. Vizitorët mund të ulen në hapësirat e gdhendura brenda këtyre rrënjëve, duke u ndjerë për një çast të mbajtur nga struktura, duke bashkëndarë heshtjen, praninë e njëri tjetrit por edhe mungesën.

“Pema e Jetëve” mundohet t’i largohet idesë së përfundimit, ajo bëhet një propozim për një angazhim të vazhdueshëm. Në këtë kuptim, ajo nuk është vetëm përkujtimore, por edhe performative: krijon takime mes të gjallëve dhe atyre që mungojnë, mes vizitorëve dhe familjeve, mes kujtesës individuale dhe përgjegjësisë kolektive. Vepra përkon me idenë se zia nuk përfundon kurrë, ajo vazhdon si një formë marrëdhënieje. Emrat brenda trungut bëhen jo vetëm një listë, por një litani e kujtesës ku kuptimi qëndron në përsëritje, në prekje dhe në takim duke pohuar se kujtesa nuk mund të mbyllet në të kaluarën, por duhet të jetohet dhe të banohet.

Ky memorial është realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë në partneritet me Qendrën Burimore për Personat e Zhdukur dhe u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Departamenti Federal i Zvicrës për Punë të Jashtme.