Komunikata për media

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar serbin e Kosovës me gjashtë vite burgim për krime të luftës

25.12.2020, 16:04

Gjykata Themelore në Prishtinë/Priština e ka dënuar serbin e Kosovës me gjashtë vite burgim për krime të luftës

 

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Priština (ka kryesuar gjyqtarja Albina Shabani-Rama[1]), në datën 24 dhjetor të vitit 2020, e ka shpallur serbin nga Çagllavicë/Čaglavica, Nenad Arsiqin, fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile[2] sipas dy pikave dhe ia ka shqiptuar dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vitesh. Vendimi i gjykatës është shpallur pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor të hapur në lëndën Prokurori kundër Nenad Arsiqit, lidhur me aktakuzën e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës - ZPSK (PPS. nr. 01/2016 e datës 6 dhjetor të vitit 2019).


Në arsyetimin e shkurtë të vendimit të vet, trupi gjykues ka thënë se ai është sjellë në bazë të dëshmive të paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, duke shtuar se deklaratat e dëshmitarëve/të dëmtuarve e kanë identifikuar të akuzuarin si person, i cili gjatë konfliktit të armatosur me persona të tjerë të paidentifikuar, në datën 21 maj të vitit 1999 ka qenë në pronën e tyre në lagjen Emshir/Emšir, në Prishtinë/Priština, se në bashkëkryerje me të tjerët ka marrë pjesë në shkatërrimin dhe uzurpimin e pronës së tyre, me ç'rast iu janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, si edhe se në veprimet e të akuzuarit qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile. Gjykata, me rastin e llogaritjes së dënimit ka pasur parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të parapara me nenin 41 të LP të RSFJ-së.


I akuzuari, gjatë kohës së zhvillimit të shqyrtimit kryesor ka qenë në paraburgim, i cili ka qenë i caktuar nga momenti i privimit nga liria, në datën 22 tetor të vitit 2019 dhe i cili i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.


Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) rregullisht e ka monitoruar gjykimin e të akuzuarit Arsiq, i cili është hapur në datën 22 qershor të vitit 2020. Në bazë të monitorimit të gjykimit dhe analizës së dokumentacionit gjyqësor publik në dizpozicion në këtë lëndë, FDHK gjen se dëshmitarët/të dëmtuarit me deklaratat e tyre gjatë shqyrtimit kryesor e kanë vërtetuar praninë e të akuzuarit Arsiq në ditën kritike në vendin e kryerjes së veprës penale, me të cilën ai me anë të aktakuzës akuzohet. Ata, po ashtu, kanë vërtetuar se i akuzuari me këtë rast i ka goditur me objekte të forta nëpër trup si edhe se me persona të tjerë të panjohur ka marrë pjesë në shkatërrimin e pronës së të dëmtuarve dhe po ashtu edhe në konfiskimin e parave dhe të gjërave të vlefshme prej tyre.


FDHK po ashtu vëren se është shumë e mundshme se kalimi i kohës nga momenti i kryerjes së veprës penale, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, deri te gjykimi përkatësisht shqiptimi i vendimit gjyqësor ka ndikuar në disa mospërputhje të caktuara në deklaratat e dëshmitarëve mbi këtë ngjarje, të cilat ata i kanë dhënë në fazat paraprake të procedurës. FDHK, megjithëkëtë, tash për tash nuk dëshiron të deklarohet mbi peshën, të cilën gjykata e shkallës së parë ua ka dhënë vlerësimeve me anë të të cilave e ka vlerësuar relevancën e dallimeve në vëzhgimet e dëshmitarëve lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në ditën kritike. FDHK do të ketë mundësi të deklarohet vetëm pas shikimit dhe analizës së aktgjykimit të shkallës së parë, kur do të vlerësohet edhe ajo nëse dënimi i shqiptuar është adekuat.


Po ashtu, fakti se gjykata të akuzuarit ia ka shqiptuar dënimin unik, pa një përllogaritje të veçantë të dënimit lidhur me veprimet me të cilat ai ngarkohet, do të jetë objekt i analizës në kuadër të raportit të gjithëmbarshëm mbi gjykimet më të rëndësishme të cilin FDHK e përgatitë për vitin 2020.


Zyra e PSRK, me aktakuzën e datës 6 dhjetor të vitit 2019, të akuzuarit Nenad Arsiqit ia ka vënë në barrë kryerjen e veprës krim i luftës kundër popullatës civile sipas dy pikave:


- se gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në datën 21 maj të vitit 1999, rreth orës 8:00 në Prishtinë, në lagjen Emshir/Emšir, në cilësinë e pjesëtarit të formacionit rezervë të policisë serbe, në uniformë dhe i armatosur, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të policisë, me automjetin e policisë ka shkuar në pronën e familjes Shala si edhe se me qëllim të lëndimit të integritetit trupor dhe shëndetit fizik e mendor, me objekte të drurit dhe me kërbaq e ka goditur Jakup dhe Skender Shalën nëpër trup për një kohë të gjatë, duke iu shkaktuar kështu vuajtje të mëdha dhe lëndime të rënda trupore. Të dy vëllezërit Shala edhe sot i ndjejnë pasojat e rrahjeve dhe të keqtrajtimeve, me çka, sipas aktakuzës, i akuzuari e ka kryer veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile.


- se i akuzuari, në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë, në vendin e cekur më lartë, në të njëjtën cilësi, me vetëdije ka marrë pjesë në shkatërrimin masiv dhe uzurpimin e paligjshëm të pronës, që nuk është arsyetuar me nevojat ushtarake. Ai ka marrë pjesë në bastisjen e shtëpive familjare të katër vëllezërve Shala, me ç'rast janë dëmtuar orenditë shtëpiake dhe gjërat të tjera me vlerë, janë demoluar objektet ndihmëse, ferma në pronësi të Jakupa Shalës, prej nga janë uzurpuar: 3.200 litra nafte të futura nëpër fuçi; 160.000 marka gjermane të fshehura në oborrin e Sherif Shalës; 80.000 marka gjermane të fshehura në kotecin, i cili ka qenë në oborrin e shtëpisë së Isak Shalës. Nga garazhi dhe oborri i familjes Shala, në ditën kritike është uzurpuar automjeti Renault Espase; një motokultivator dhe një traktor, pronë e Jakup Shalës; automjeti i tipit Volkswagen Jetta, pronë e Enver Shalës; automjeti Opel Vectra, pronë e Hakif Bajramit; automjeti Jugo Corral 55, pronë e Vahid Halilit dhe automjeti Mercedes MB 100, pronë e Skender Shalës, me çka, sipas aktakuzës, i akuzuari e ka kryer veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile. 


Pas procedurës së paraparë me ligj të vlerësimit të aktakuzës, në datën 22 qershor të vitit 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë/Prištinë është hapur shqyrtimi kryesor gjatë të cilit trupi gjykues është takuar në seanca në njëmbëdhjetë (11) ditë gjyqësore. Shqyrtimi është hapur me leximin e aktakuzës, lidhur me të cilën i akuzuari është deklaruar i pafajshëm. Para panelit shqyrtues janë dëgjuar nëntë (9) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria dhe tre (3) dëshmitarë të propozuar nga i akuzuari dhe mbrojtja e tij. I akuzuari ka dëshmuar para panelit shqyrtues. Gjatë shqyrtimit janë paraqitur provat materiale të propozuara nga palët në procedurë, pas të cilave prokurorja Drita Hajdari e ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës në pikëpamje të kualifikimit juridik të veprës penale, me të cilën ngarkohet i akuzuari. Palët në procedurë i kanë paraqitur argumentet e tyre përmbyllëse.


Në pajtim me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 29 maj të vitit 2020, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID - 19, shqyrtimi kryesor ka qenë i hapur për vëzhguesit dhe mediet, por jo për publikun.



 

 

   

 

 




[1] Anëtarët e trupit gjykues, gjyqtarët: Shadije Gërguri dhe Arben Hoti.

[2] E paraparë dhe e dënueshme me nenin 142, në lidhje me nenin 22 të LP të RSFJ, po ashtu e dënueshme si krim i luftës i shkeljes së rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144, paragrafi 2, pika 2.2, 2.3, në lidhje me pikën 1, nënpika 1.2, në lidhje me nenin 31 të KPRK (2019).